Tetova News

Paratë te maqedonasit, te shqiptarët kërkohen koncesionerë

Kredi afatgjate nga institucionet e huaja financiare për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Maqedoninë lindore. Modernizim dhe zgj...


Kredi afatgjate nga institucionet e huaja financiare për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Maqedoninë lindore. Modernizim dhe zgjerim të pikave të taksës rrugore përgjatë Korridorit 10, po ashtu me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Gjetja e investitorëve të huaj për të investuar në dy zonat e lira ekonomike në Shkup, Shtip, dhe Kavadar. Këto vetëm disa nga projektet e rëndësishme kapitale këtë vit e që realizohen falë angazhimit të Qeverisë. Disa prej tyre pjesërisht financohen edhe nga buxheti i shtetit. Por kur është fjala për projektet e parapara për në vendbanimet shqiptare, Qeveria ose është në fazën fillestare të një projekti të caktuar ose është në kërkim të partneritetit publiko-privat. Kështu është rasti edhe me ndërtimin e autostradës Shkup– Bllacë, për të cilën ka shtatë vite që shteti është në kërkim të investitorit publiko-privat, duke shmangur investimin e drejtpërdrejtë me para nga buxheti. Edhe pse këtë vit janë siguruar mjete nga BERZHI për modernizimin e Korridorit 10, e njëjta për Korridorin 8 është lënë për më vonë, edhe atë me koncesion publik-privat. Më evident dhe shembull eklatant në “trukun” e investimeve është ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Pikërisht mospërfshirja në buxhet e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, sipas ish zyrtarëve dhe ekspertëve ekonomik, tregon qartë se lidhja e Maqedonisë me Kosovën nuk është prioritet i Qeverisë, respektivisht i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Ish-ministri i financave dhe profesorë i ekonomisë në UEJL, Besnik Fetai, thotë se Qeveria nuk e ka problem gjetjen e parave për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por se bëhet fjalë për dy arsye të tjera. E para, sipas tij, është se vetë Qeveria nuk dëshiron të investojë në ndërtimin e autostradave që lidhin Maqedoninë me Kosovën, dhe e dyta, mungon angazhimi i plotë i partisë shqiptare që të vendos si prioritet këtë projekt. “Esenca e gjithë kësaj është që VMRO-ja në plan të parë ka ndërtimin e rrugëve në pjesën të populluar me maqedonas, ndërsa në pjesën shqiptare do të ndërtohen atëherë kur t’ju vjen radha. Sa i përket arsyetimit se Qeveria nuk ka para për ndërtimin e autostradës Stenkovec-Bllacë nuk mban, sepse kostoja finale për ndërtimin e saj ka gjysmën e vlerës së kostos finale të përmendores së Aleksandrit që u vendos në shesh e që kushtoi 40 milionë euro”, thekson Fetai. Edhe eksperti ekonomik Bilall Kasami thotë se Qeveria është fajtorë për zvarritjen e procedurave për ndërtimin e pjesës së autostradës nga Shkupi deri në vendkalimin kufitar Bllacë. Sipas tij, ky projekt duhet të kishte përfunduar shumë vite më parë, por që është lënë anash për shkak të siç thekson, ngarkesave të ndryshme të qarqeve të caktuara. “Një treg që ne tradicionalisht e kemi pasur, pra tregun kosovar, tani ne me politika të tilla në vazhdimësi e humbim. Këtu në Maqedoni, shteti në vazhdimësi flet për projekte infrastrukturore, por ato ngelin në letër, kurse aktivitete konkrete nuk kemi asgjë. Nëse diçka për Maqedoninë do të kishte prioritet në investimet publike, autostrada e parë e cila do të duhej të ndërtohej do të ishte pikërisht ajo prej Shkupit deri në Bllacë. Mirëpo, për shkaqe të pakuptimta kjo rrugë edhe më tej ngelet në sirtarët e Qeverisë, ndërsa me të madhe sigurohet mjete financiare përmes kredive financiare nga bankat ndërkombëtare për ndërtimin dhe modernizmin e infrastrukturës rrugore në Maqedoninë lindore“, thotë Kasami. Ndryshe, deri më tani kanë dështuar gjashtë tenderë për dhënien me koncesion të rrugës Shkup-Bllacë, për shkak se nuk është paraqitur asnjë investitorë i interesuar.
MTL: Shkup-Bllacë, kërkohen këshilla

Qeveria disa herë ka paralajmëruar nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, por përveç njoftimit se ndërtimi i saj do të bëhet sipas partneriteti publiko-privat, nuk ka asnjë zhvillim tjetër konkret. Edhe pse ndërtimi i kësaj autostrade, që me planin e Ndërmarrjes Publike Rrugët e Maqedonisë planifikohet të fillojë me ndërtim në 2016, sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ende është vetëm në fazën e kërkimit të partnerit private publik për dhënien e autostradës me koncesion. “Për realizimin e këtij projekti është paraparë që korporata financiare ndërkombëtare të sigurojë shërbime këshillëdhënëse për mundësitë e koncesionimit të aksit rrugor Shkup-Bllacë në gjatësi prej 13 kilometra, deri në kufirin me Kosovën, pas çka do të shqyrtohen mundësitë për realizimin e projektit me partneritet publiko-privat”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve./Koha

Related

Lajme 2014311845679496359
item